Më 29 prill, në hollin e katit të dytë të Teatrit të Operas dhe Baletit, u zhvillua aktiviteti përmbyllës i projektit “Thesaret e Tiranës sime”, një iniciativë kulturore e ndërmarrë nga Fondacioni Tradita Popullore, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës. Ky event shënoi kulmin e një rrugëtimi artistik e dokumentues që synon të nxjerrë në pah pasuritë shpirtërore dhe kulturore të kryeqytetit dhe trevave rreth tij.
Në këtë mbrëmje të veçantë, u prezantua albumi “Thesaret e Tiranës sime”, një botim që përmbledh trashëgiminë kulturore të Tiranës përmes fotografive të veshjeve tradicionale, të punuara me mjeshtëri nga Tradita Popullore, nën drejtimin e Edlira Sulajt, por edhe rrëfimeve dhe momenteve të veçanta nga jeta shoqërore e qytetit dhe zonave rurale.
Të pranishmit përjetuan një atmosferë të ngrohtë e emocionuese, pasi veç prezantimit të albumit pjesë e eventit ishin edhe interpretimet artistike që pasuruan mbrëmjen. Valltarët e Ansamblit Popullor sollën në skenë vallet tradicionale të Tiranës, ndërsa aktori i njohur Arben Derhemi interpretoi “Monologun e Tironasit”, që emocionoi të pranishmit. Një tjetër moment i veçantë ishte interpretimi i disa prej këngëve më të dashura të artistes Irma Libohova, e cila u mirëprit me shumë duartrokitje.
Eventi u drejtua me finesë dhe përkushtim nga moderatorja e njohur Suela Demiri, ndërsa në sallë ishin të pranishëm personalitete nga Bashkia e Tiranës dhe deputetja znj. Ermonela Felaj, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij projekti për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor të kryeqytetit.
“Thesaret e Tiranës sime” u mbyll si një dëshmi e gjallë e dashurisë për qytetin, trashëgiminë dhe vlerat artistike që ai mbart ndër breza.