
“Find Your Own Roots”, organizuar nga Fondacioni Tradita, pjesë e programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS, synoi promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, me fokus te veshjet tradicionale dhe teknikat artizanale të punimit të tyre.
Projekti u fokusua në përfshirjen e të rinjve përmes aktiviteteve edukative dhe praktike, duke krijuar mundësi që ata të njihen nga afër me elementet e trashëgimisë kulturore dhe të mësojnë teknikat tradicionale të punimit të veshjeve.
Në kuadër të projektit u zhvilluan pesë seminare në institucionet arsimore “Kristaq Rama”, “Tirana Jonë”, “Elite”, “Harry Fultz” dhe Universitetin “Barleti”, në bashkëpunim me këto institucione. Gjatë seminareve, të rinjtë u njohën me projektin dhe me elementë të ndryshëm të veshjeve tradicionale përmes mini-ekspozitave.


Një tjetër komponent i projektit ishin 10 Info Days, të organizuara në zona të ndryshme të Tiranës përmes Artizan Lab, një hapësirë artizanale lëvizëse e pajisur me mjetet e nevojshme për demonstrimin e teknikave tradicionale.
Përmes këtyre aktiviteteve, vizitorët patën mundësi të ndërvepronin drejtpërdrejt me artizanë profesionistë dhe të njiheshin nga afër me procesin e punimit, duke krijuar një lidhje më të drejtpërdrejtë me traditën dhe mjeshtërinë artizanale shqiptare.
Pjesa kryesore e projektit përfshiu 11 workshope me 20 të rinj, të cilët, nën udhëheqjen e artizanëve, mësuan dhe praktikuan teknikat e realizimit të veshjeve tradicionale.

Duke ndërthurur elementët e trashëgimisë me dizajnin bashkëkohor, pjesëmarrësit krijuan 20 veshje unike, të cilat u prezantuan në eventin përmbyllës përmes një sfilate të shoqëruar me këngë dhe valle tradicionale.
Përmes këtij projekti, të rinjtë patën mundësinë të njohin, praktikojnë dhe rikrijojnë trashëgiminë kulturore shqiptare, duke lidhur traditën me kreativitetin dhe artizanatin bashkëkohor.

“Find Your Own Roots” krijoi kështu një hapësirë ku trashëgimia kulturore nuk mbetet vetëm pjesë e së kaluarës, por kthehet në një burim frymëzimi për brezin e ri, përmes krijimtarisë, praktikës dhe ndërthurjes së traditës me qasjet bashkëkohore.



