
Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Institucioni i Presidentit të Republikës në bashkëpunim me Tradita Popullore, zhvilloi aktivitetin “Gruaja, shpirti i thesareve tona etnografike”, nën kujdesin e Zonjës së Parë, Armanda Begaj. Veprimtaria iu kushtua veshjes popullore shqiptare, si një nga elementet më të rëndësishme të identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore.
Në aktivitet morën pjesë personalitete të njohura, përfaqësues të trupit diplomatik, gra me kontribut në jetën kulturore, si dhe vajza pjesëmarrëse në konkursin Miss Globe. Ato prezantuan veshje tradicionale shqiptare, duke sjellë në vëmendje larminë e kostumeve popullore nga krahina të ndryshme të vendit.

Veshjet popullore shqiptare përfaqësojnë jo vetëm bukurinë dhe pasurinë artistike të traditës, por edhe historinë, zakonet dhe mënyrën e jetesës së komuniteteve ndër breza. Ngjyrat, motivet, qëndisjet dhe mënyra e punimit të tyre dëshmojnë për mjeshtërinë dhe krijimtarinë e artizanëve shqiptarë.
Një rol të veçantë në këtë aktivitet iu kushtua gruas, e cila ndër breza ka qenë një nga ruajtëset dhe përcjellëset më të rëndësishme të traditës popullore. Përmes endjes, qëndisjes dhe punimit të veshjeve tradicionale, gratë kanë kontribuar në ruajtjen e kësaj pasurie dhe në transmetimin e saj te brezat e rinj.

Aktiviteti shërbeu gjithashtu si një mënyrë për promovimin e kulturës shqiptare, veçanërisht përmes pjesëmarrjes së vajzave të Miss Globe dhe pranisë së përfaqësuesve të trupit diplomatik. Prezantimi i veshjeve tradicionale në një mjedis të tillë krijoi një mundësi për ta bërë trashëgiminë shqiptare më të njohur edhe për një publik ndërkombëtar.

Veprimtaria u pasqyrua gjerësisht në media dhe televizione të ndryshme, duke përcjellë mesazhin për rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe traditës popullore shqiptare. “Gruaja, shpirti i thesareve tona etnografike” ishte një vlerësim për traditën, për mjeshtërinë e grave shqiptare dhe për pasurinë e jashtëzakonshme që përfaqësojnë veshjet tona popullore.


