Për të realizuar një veshje, bëhet një punë e detajuar dhe e kujdesshme në rindërtimin e modeleve të vjetra duke iu përshtatur përmasave moderne. Ky proces përfshin disa hapa kyç, duke filluar nga punimi i modeleve në letër me përmasa reale, dizajnimi me dorë të lirë në copë, përgatitja e listës së materialeve dhe deri te sigurimi i tyre nga burime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Punimi i modeleve në letër me përmasa reale
Pasi gjehen dhe analizohen modelet tradicionale, përshtaten për përmasa më të mëdha, duke ruajtur të gjitha detajet origjinale të qendisjes. Modelet e vjetra zakonisht janë më të vogla, ndaj bëhet përpjekje e veçantë për të garantuar që edhe në përmasa të mëdha ato të ruanjnë pamjen dhe elegancën.
Dizajnimi me dorë të lirë në copë
Pasi modelet përshtaten në letër, faza e radhës është bartja e tyre në copë me dorë të lirë. Ky proces kërkon një precizion të lartë dhe mjeshtëri artistike, duke qenë se çdo detaj i qendisjes duhet të përputhet me modelin origjinal. Përmes kësaj teknike, çdo element tradicional realizohet me besnikëri ndaj motiveve autentike.
Përgatitja e listës së materialeve
Për të siguruar një rindërtim sa më të saktë të kostumeve, hartohet një listë e hollësishme e materialeve të nevojshme. Kjo listë përfshin të gjitha elementet bazë që do të përdoren për prodhimin e veshjeve, duke marrë në konsideratë cilësinë dhe ngjashmërinë e tyre me materialet tradicionale.
Sigurimi i materialeve
Pas përgatitjes së listës, fillon procesi i gjetjes dhe sigurimit të materialeve. Për këtë qëllim, bashkëpunohet me artizanë, subjekte tregtare dhe individë të ndryshëm në Shqipëri dhe jashtë saj.
Ky proces i detajuar ka qenë një ndërthurje e punës kërkimore, mjeshtërisë artizanale dhe përkushtimit për të rikrijuar me sa më shumë besnikëri kostumet tradicionale shqiptare. Puna e bërë në këtë drejtim dëshmon vlerësimin dhe respektin për trashëgiminë tonë kulturore, duke e ruajtur dhe përcjellë atë brezave të ardhshëm në formën e saj më autentike.