
Tradita shqiptare dhe pasuria e trashëgimisë sonë kulturore u prezantuan në një nga aktivitetet më të rëndësishme ndërkombëtare të turizmit, World Travel Market London 2026. Tradita Popullore ishte pjesë e këtij panairi nga data 3 deri më 5 nëntor, duke sjellë në vëmendjen e vizitorëve dhe profesionistëve të turizmit veshjet tradicionale shqiptare dhe bukurinë e artizanatit vendas.

Përmes kësaj pjesëmarrjeje, kostumet popullore u kthyen në një mënyrë për të treguar identitetin, historinë dhe larminë kulturore të krahinave shqiptare, duke promovuar Shqipërinë edhe përmes traditës.

Pjesë e këtij përfaqësimi ishte edhe bashkëpunimi me Ansamblin URA, kontributi i të cilit ndihmoi në përcjelljen dinjitoze të vlerave të kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në World Travel Market London shënon një tjetër mundësi për promovimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe për forcimin e bashkëpunimeve që e bëjnë traditën shqiptare pjesë të promovimit turistik të vendit.



